Dhjata e Re

Mateu 25:6-19 Së Bashku (ALNT)

6. Por në mesnatë dikush thirri: “Erdhi dhëndri, dilni për ta takuar.”

7. Atëherë të gjitha virgjëreshat u zgjuan për të bërë gati kandilat.

8. Të marrat u thanë të mençurave: “Na jepni pak nga vaji juaj, se po na fiken kandilat.”

9. Por të mençurat u përgjigjën: “Jo, se pastaj nuk do të na mjaftojë as neve e as juve. Më mirë shkoni te tregtarët e blini.”

10. Kur shkuan për të blerë, arriti dhëndri. Virgjëreshat që ishin gati hynë së bashku me të në dasmë dhe dera u mbyll.

11. Pastaj erdhën virgjëreshat e tjera dhe thanë: “Zotëri, zotëri, na e hap derën!”.

12. Por ai u përgjigj: “Me të vërtetë po ju them se nuk ju njoh.”

13. Rrini zgjuar, pra, se nuk e dini as ditën e as orën.»

14. «Mbretëria e qiejve ngjan me një njeri që, para se të nisej për në një vend të huaj, thirri shërbëtorët e vet dhe u besoi pasurinë.

15. Njërit i dha pesëqind monedha ari, një tjetri dyqind dhe tjetrit njëqind, secilit sipas aftësisë që kishte. Pastaj u nis për rrugë.

16. Ai që kishte marrë pesëqind monedha, shkoi menjëherë, bëri tregti me to dhe fitoi edhe pesëqind të tjera.

17. Po ashtu ai që kishte marrë dyqind monedha, fitoi edhe dyqind të tjera.

18. Por, ai që kishte marrë njëqind monedha, shkoi, gërmoi tokën dhe i fshehu atje monedhat e zotërisë së vet.

19. Pas një kohe të gjatë i zoti i këtyre shërbëtorëve erdhi dhe bëri llogaritë me ta.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 25