Dhjata e Re

Mateu 25:29-43 Së Bashku (ALNT)

29. sepse atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë dhe do t’i teprojë, por atij që nuk ka do t’i merret edhe ajo që ka.

30. Shërbëtorin e pavlerë hidheni përjashta në errësirë, ku ka vajtim dhe kërcëllimë dhëmbësh.”»

31. «Kur Biri i njeriut të vijë në lavdinë e tij bashkë me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e tij të lavdishëm.

32. Të gjitha kombet do të mblidhen para tij dhe ai do t’i ndajë njërin nga tjetri, siç ndan bariu delet nga dhitë.

33. Delet do t’i vërë në të djathtë, ndërsa dhitë në të majtë.

34. Pastaj mbreti do t’u thotë atyre që janë në të djathtën e tij: “Ejani, o të bekuarit e Atit tim, trashëgojeni mbretërinë e përgatitur për ju që nga krijimi i botës,

35. sepse pata uri e më dhatë për të ngrënë, pata etje e më dhatë për të pirë, isha i huaj e më pritët,

36. isha i zhveshur e më veshët, isha i sëmurë dhe erdhët të më shihni, isha në burg dhe erdhët tek unë.”

37. Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen: “Zot, kur të pamë të uritur e të dhamë për të ngrënë? Ose të pamë të etur e të dhamë për të pirë?

38. Dhe kur të pamë të huaj e të pritëm apo të pamë të zhveshur e të veshëm?

39. Kur të pamë të sëmurë ose në burg dhe erdhëm te ti?”.

40. Mbreti do t’u përgjigjet: “Me të vërtetë po ju them se sa herë që e keni bërë këtë gjë për njërin nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, ma keni bërë mua.”

41. Pastaj do t’u thotë atyre që janë në të majtën e tij: “Largohuni prej meje, o të mallkuar, në zjarrin e amshuar, që është përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij,

42. sepse pata uri e nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje e nuk më dhatë për të pirë,

43. isha i huaj e nuk më pritët, isha i zhveshur e nuk më veshët, isha i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët të më shihni.”

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 25