Dhjata e Re

Mateu 25:21-39 Së Bashku (ALNT)

21. I zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik. U tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të besoj gjëra të mëdha. Hyr në gëzimin e tët zoti.”

22. Edhe ai që kishte marrë dyqind monedha erdhi e tha: “Zotëri, më dhe dyqind monedha, ja, fitova edhe dyqind të tjera.”

23. I zoti i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik. U tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të besoj gjëra të mëdha. Hyr në gëzimin e tët zoti.”

24. Edhe ai që kishte marrë njëqind monedha, erdhi e tha: “Zotëri, unë të njoh për njeri të rreptë, që korr ku nuk ke mbjellë dhe mbledh ku nuk ke shpërndarë,

25. prandaj pata frikë dhe shkova e i fsheha në tokë monedhat që më dhe. Merri, ja ku i ke!”

26. Por i zoti iu përgjigj: “Shërbëtor i mbrapshtë dhe përtac. Ti e paske ditur se unë korr ku nuk kam mbjellë dhe mbledh ku nuk kam shpërndarë?

27. Atëherë duhej t’i kishe futur paratë e mia në bankë, që kur të kthehesha, t’i merrja bashkë me fitimin.

28. Prandaj merrjani këtij monedhat dhe jepjani atij që ka një mijë,

29. sepse atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë dhe do t’i teprojë, por atij që nuk ka do t’i merret edhe ajo që ka.

30. Shërbëtorin e pavlerë hidheni përjashta në errësirë, ku ka vajtim dhe kërcëllimë dhëmbësh.”»

31. «Kur Biri i njeriut të vijë në lavdinë e tij bashkë me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e tij të lavdishëm.

32. Të gjitha kombet do të mblidhen para tij dhe ai do t’i ndajë njërin nga tjetri, siç ndan bariu delet nga dhitë.

33. Delet do t’i vërë në të djathtë, ndërsa dhitë në të majtë.

34. Pastaj mbreti do t’u thotë atyre që janë në të djathtën e tij: “Ejani, o të bekuarit e Atit tim, trashëgojeni mbretërinë e përgatitur për ju që nga krijimi i botës,

35. sepse pata uri e më dhatë për të ngrënë, pata etje e më dhatë për të pirë, isha i huaj e më pritët,

36. isha i zhveshur e më veshët, isha i sëmurë dhe erdhët të më shihni, isha në burg dhe erdhët tek unë.”

37. Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen: “Zot, kur të pamë të uritur e të dhamë për të ngrënë? Ose të pamë të etur e të dhamë për të pirë?

38. Dhe kur të pamë të huaj e të pritëm apo të pamë të zhveshur e të veshëm?

39. Kur të pamë të sëmurë ose në burg dhe erdhëm te ti?”.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 25