Dhjata e Re

Mateu 22:22-39 Së Bashku (ALNT)

22. Kur e dëgjuan këtë, ata u mrekulluan. Pastaj e lanë Jezuin dhe ikën që andej.

23. Po atë ditë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, prandaj e pyetën:

24. «Mësues, Moisiu ka thënë: Nëse një njeri vdes pa lënë fëmijë, vëllai i tij duhet të martohet me të venë për t’i dhënë trashëgimtarë të vëllait.

25. Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua, vdiq pa lënë fëmijë dhe i la të venë vëllait të vet.

26. Kështu ndodhi me të dytin, të tretin, e deri te i shtati.

27. Pas të gjithë atyre vdiq edhe gruaja.

28. Pas ngjalljes, gruaja e cilit prej të shtatëve do të jetë ajo, meqenëse të gjithë e patën për grua?».

29. Por Jezui u përgjigj:«Gaboheni, sepse nuk njihni as Shkrimet e shenjta, as fuqinë e Perëndisë.

30. Pas ngjalljes njerëzit as nuk do të martohen, as nuk do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiell.

31. Për sa i përket ngjalljes së të vdekurve, a nuk e keni lexuar çfarë ju ka thënë Perëndia:

32. Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit. Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve».

33. Dhe turmat mahniteshin kur dëgjonin mësimin e tij.

34. Kur dëgjuan se Jezui ua kishte mbyllur gojën saducenjve, farisenjtë u mblodhën

35. dhe njëri prej tyre, një mësues i ligjit të Moisiut, e pyeti për ta zënë në kurth:

36. «Mësues, cili është urdhërimi më i madh i ligjit të Moisiut?».

37. Jezui i tha:«Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.

38. Ky është urdhërimi më i madh dhe i pari.

39. Dhe urdhërimi i dytë, i ngjashëm me këtë, është: Duaje tjetrin si veten.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 22