Dhjata e Re

Mateu 22:2-14 Së Bashku (ALNT)

2. «Mbretëria e qiejve i ngjan mbretit që bëri dasmë për të birin.

3. Ai dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur ata që ishin ftuar në dasmë, por këta nuk donin të vinin.

4. Përsëri dërgoi shërbëtorë të tjerë dhe u tha: “U thoni të ftuarve, gostia është gati. Demat e bagëtitë e majmura i kam therur dhe gjithçka është përgatitur. Ejani në dasmë.”

5. Por këta nuk ua vunë veshin dhe shkuan kush në arën e vet e kush për punët e veta,

6. ndërsa të ftuarit e tjerë i kapën shërbëtorët, i rrahën dhe i vranë.

7. Mbreti u zemërua dhe dërgoi ushtarët e vet, që i vranë ata vrasës dhe i vunë zjarrin qytetit të tyre.

8. Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: “Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë,

9. prandaj dilni nëpër udhëkryqe dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni.”

10. Shërbëtorët dolën nëpër rrugë dhe mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij e të mirë; kështu dhoma e dasmës u mbush plot.

11. Po kur hyri për të parë të ftuarit, mbreti pa një njeri që nuk ishte i veshur si për dasmë

12. dhe i tha: “Mik, si ke hyrë këtu pa rrobën e dasmës?”. Ai nuk e hapi gojën.

13. Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve: “Lidheni këmbë e duar dhe hidheni përjashta në errësirë. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh.”

14. Shumë janë të thirrur, por pak të zgjedhur».

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 22