Dhjata e Re

Mateu 22:15-29 Së Bashku (ALNT)

15. Pastaj farisenjtë shkuan e u këshilluan si ta zinin Jezuin në kurth për ndonjë fjalë.

16. Kështu dërguan te Jezui dishepujt e tyre dhe disa herodianë, që i thanë: «Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe se u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë, pa pyetur për njeri dhe pa u ndikuar nga askush.

17. Na thuaj, pra, çfarë mendon, a është e lejueshme t’i paguhen taksat Cezarit, apo jo?».

18. Por Jezui, duke e njohur ligësinë e tyre, u tha: «Përse më vini në provë, o hipokritë?

19. Ma tregoni monedhën e taksës». Ata i sollën një monedhë.

20. Jezui u tha: «E kujt është kjo figurë e ky mbishkrim?».

21. Ata i thanë: «Të Cezarit». Atëherë Jezui u tha: «Jepini, pra, Cezarit ç’është e Cezarit dhe Perëndisë ç’është e Perëndisë».

22. Kur e dëgjuan këtë, ata u mrekulluan. Pastaj e lanë Jezuin dhe ikën që andej.

23. Po atë ditë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, prandaj e pyetën:

24. «Mësues, Moisiu ka thënë: Nëse një njeri vdes pa lënë fëmijë, vëllai i tij duhet të martohet me të venë për t’i dhënë trashëgimtarë të vëllait.

25. Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua, vdiq pa lënë fëmijë dhe i la të venë vëllait të vet.

26. Kështu ndodhi me të dytin, të tretin, e deri te i shtati.

27. Pas të gjithë atyre vdiq edhe gruaja.

28. Pas ngjalljes, gruaja e cilit prej të shtatëve do të jetë ajo, meqenëse të gjithë e patën për grua?».

29. Por Jezui u përgjigj:«Gaboheni, sepse nuk njihni as Shkrimet e shenjta, as fuqinë e Perëndisë.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 22