Dhjata e Re

Mateu 20:18-31 Së Bashku (ALNT)

18. «Ja, ne po shkojmë në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve dhe skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje,

19. do t’ua dorëzojnë paganëve që ta tallin, ta fshikullojnë dhe ta kryqëzojnë, por ditën e tretë ai do të ngjallet».

20. Atëherë erdhi te Jezui nëna e bijve të Zebedeut bashkë me djemtë e saj, i ra në gjunjë dhe i kërkoi diçka.

21. Jezui i tha: «Çfarë dëshiron?». Ajo i tha: «Urdhëro që këta dy djemtë e mi të ulen njëri në të djathtën dhe tjetri në të majtën tënde, në mbretërinë tënde».

22. Por Jezui iu përgjigj: «Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund ta pini ju kupën që do të pi unë?».Ata iu përgjigjën: «Mundemi».

23. Jezui u tha: «Kupën time do ta pini, por që të uleni në të djathtën dhe në të majtën time nuk më takon mua ta vendos, sepse vendet u takojnë atyre që ua ka bërë gati Ati im».

24. Kur e dëgjuan këtë gjë, dhjetë të tjerët u zemëruan me dy vëllezërit.

25. Por Jezui i thirri pranë vetes dhe u tha:«Ju e dini se krerët e paganëve sundojnë mbi ta dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi ta.

26. Me ju nuk duhet të ndodhë kështu, por nëse dikush nga ju dëshiron të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj

27. dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të jetë shërbëtori juaj,

28. sikurse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por erdhi për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz».

29. Kur po dilnin nga Jerikoja, Jezuin po e ndiqte një turmë e madhe.

30. Dy të verbër që rrinin ulur në anë të rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezui, bërtitën: «Ki mëshirë për ne, o Zot, Biri i Davidit!».

31. Turma i qortoi që të heshtnin, por ata bërtitën edhe më fort: «Ki mëshirë për ne, o Zot, Biri i Davidit!».

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 20