Dhjata e Re

Mateu 20:16-29 Së Bashku (ALNT)

16. Kështu, të fundit do të jenë të parët dhe të parët do të jenë të fundit».

17. Kur po shkonte në Jerusalem, Jezui mori mënjanë dymbëdhjetë dishepujt dhe gjatë rrugës u tha:

18. «Ja, ne po shkojmë në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve dhe skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje,

19. do t’ua dorëzojnë paganëve që ta tallin, ta fshikullojnë dhe ta kryqëzojnë, por ditën e tretë ai do të ngjallet».

20. Atëherë erdhi te Jezui nëna e bijve të Zebedeut bashkë me djemtë e saj, i ra në gjunjë dhe i kërkoi diçka.

21. Jezui i tha: «Çfarë dëshiron?». Ajo i tha: «Urdhëro që këta dy djemtë e mi të ulen njëri në të djathtën dhe tjetri në të majtën tënde, në mbretërinë tënde».

22. Por Jezui iu përgjigj: «Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund ta pini ju kupën që do të pi unë?».Ata iu përgjigjën: «Mundemi».

23. Jezui u tha: «Kupën time do ta pini, por që të uleni në të djathtën dhe në të majtën time nuk më takon mua ta vendos, sepse vendet u takojnë atyre që ua ka bërë gati Ati im».

24. Kur e dëgjuan këtë gjë, dhjetë të tjerët u zemëruan me dy vëllezërit.

25. Por Jezui i thirri pranë vetes dhe u tha:«Ju e dini se krerët e paganëve sundojnë mbi ta dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi ta.

26. Me ju nuk duhet të ndodhë kështu, por nëse dikush nga ju dëshiron të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj

27. dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të jetë shërbëtori juaj,

28. sikurse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por erdhi për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz».

29. Kur po dilnin nga Jerikoja, Jezuin po e ndiqte një turmë e madhe.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 20