Dhjata e Re

Mateu 20:11-22 Së Bashku (ALNT)

11. Kur e morën, iu ankuan të zotit të shtëpisë

12. dhe i thanë: “Këta të fundit punuan vetëm një orë dhe i pagove aq sa ne që kemi duruar mundin e ditës dhe të nxehtin.”

13. Por ai iu përgjigj njërit prej tyre: “Mik, nuk po të bëj padrejtësi. A nuk u morëm vesh për një denar?

14. Merr atë që të takon e shko. Unë do t’i jap këtij të fundit sa ty.

15. A nuk më lejohet mua të bëj çfarë dua me gjënë time? Apo ke zili që jam i mirë?”.

16. Kështu, të fundit do të jenë të parët dhe të parët do të jenë të fundit».

17. Kur po shkonte në Jerusalem, Jezui mori mënjanë dymbëdhjetë dishepujt dhe gjatë rrugës u tha:

18. «Ja, ne po shkojmë në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve dhe skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje,

19. do t’ua dorëzojnë paganëve që ta tallin, ta fshikullojnë dhe ta kryqëzojnë, por ditën e tretë ai do të ngjallet».

20. Atëherë erdhi te Jezui nëna e bijve të Zebedeut bashkë me djemtë e saj, i ra në gjunjë dhe i kërkoi diçka.

21. Jezui i tha: «Çfarë dëshiron?». Ajo i tha: «Urdhëro që këta dy djemtë e mi të ulen njëri në të djathtën dhe tjetri në të majtën tënde, në mbretërinë tënde».

22. Por Jezui iu përgjigj: «Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund ta pini ju kupën që do të pi unë?».Ata iu përgjigjën: «Mundemi».

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 20