Dhjata e Re

Mateu 20:1-12 Së Bashku (ALNT)

1. «Mbretëria e qiejve është si i zoti i shtëpisë, që doli në mëngjes herët për të gjetur punëtorë për vreshtin e vet.

2. Pasi u mor vesh me punëtorët që t’i paguante për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet.

3. Kur doli rreth orës nëntë, pa disa të tjerë që po rrinin pa punë te tregu

4. dhe u tha: “Shkoni edhe ju në vresht dhe do t’ju jap aq sa është e drejtë.”

5. Dhe ata shkuan.Ai doli përsëri rreth orës dymbëdhjetë dhe rreth orës tre.

6. Doli edhe rreth orës pesë, gjeti të tjerë që po rrinin dhe u tha: “Përse rrini kot këtu gjithë ditën?”.

7. Ata i thanë: “Sepse askush nuk na ka marrë në punë.” Ai u tha: “Shkoni edhe ju në vresht.”

8. Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha nëpunësit të tij: “Thirri punëtorët dhe jepu shpërblimin, duke filluar nga i fundit e deri tek i pari.”

9. Kur erdhën ata që kishte thirrur rreth orës pesë, secili prej tyre mori nga një denar.

10. Kur erdhën të parët, mendonin se do të merrnin më shumë, por edhe secili prej tyre mori nga një denar.

11. Kur e morën, iu ankuan të zotit të shtëpisë

12. dhe i thanë: “Këta të fundit punuan vetëm një orë dhe i pagove aq sa ne që kemi duruar mundin e ditës dhe të nxehtin.”

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 20