Dhjata e Re

Mateu 19:7-20 Së Bashku (ALNT)

7. Ata i thanë: «Atëherë, përse urdhëroi Moisiu t’i jepet gruas letra e ndarjes dhe të lihet?».

8. Jezui u tha: «Moisiu ju lejoi të ndaheni prej grave tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu.

9. Unë po ju them se kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë dhe martohet me një grua tjetër, bën tradhti bashkëshortore».

10. Dishepujt i thanë: «Nëse ndodh kështu me një burrë e një grua, atëherë është më mirë të mos martohet njeri».

11. Por ai u tha: «Jo të gjithë mund t’i kuptojnë këto fjalë, por vetëm ata të cilëve u ka dhënë aftësinë Perëndia.

12. Ka eunukë që janë të tillë që nga lindja dhe ka eunukë që janë bërë të tillë nga njerëzit, por ka edhe eunukë që janë bërë të tillë për shkak të mbretërisë së qiejve. Kush mund të kuptojë, le ta kuptojë».

13. Pastaj i sollën disa fëmijë, që të vinte duart mbi ta dhe të lutej, por dishepujt i qortuan.

14. Atëherë Jezui u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse mbretëria e qiejve u përket atyre që janë si ata».

15. Pastaj vuri duart mbi ta dhe u largua që andej.

16. Dikush erdhi te Jezui e i tha: «Mësues, ç’të mirë duhet të bëj që të fitoj jetën e amshuar?».

17. Jezui i tha: «Përse më pyet për të mirën? Vetëm njëri është i mirë. Nëse dëshiron të hysh në jetën e amshuar, zbato urdhërimet».

18. Ai i tha: «Cilat?».Jezui iu përgjigj: «Mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme,

19. ndero babanë e nënën dhe duaje tjetrin si veten!».

20. Djaloshi i tha: «Të gjitha këto i kam bërë. Çfarë më mungon ende?».

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 19