Dhjata e Re

Mateu 19:12-25 Së Bashku (ALNT)

12. Ka eunukë që janë të tillë që nga lindja dhe ka eunukë që janë bërë të tillë nga njerëzit, por ka edhe eunukë që janë bërë të tillë për shkak të mbretërisë së qiejve. Kush mund të kuptojë, le ta kuptojë».

13. Pastaj i sollën disa fëmijë, që të vinte duart mbi ta dhe të lutej, por dishepujt i qortuan.

14. Atëherë Jezui u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse mbretëria e qiejve u përket atyre që janë si ata».

15. Pastaj vuri duart mbi ta dhe u largua që andej.

16. Dikush erdhi te Jezui e i tha: «Mësues, ç’të mirë duhet të bëj që të fitoj jetën e amshuar?».

17. Jezui i tha: «Përse më pyet për të mirën? Vetëm njëri është i mirë. Nëse dëshiron të hysh në jetën e amshuar, zbato urdhërimet».

18. Ai i tha: «Cilat?».Jezui iu përgjigj: «Mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme,

19. ndero babanë e nënën dhe duaje tjetrin si veten!».

20. Djaloshi i tha: «Të gjitha këto i kam bërë. Çfarë më mungon ende?».

21. Jezui i tha: «Nëse dëshiron të jesh i përsosur, shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!».

22. Kur e dëgjoi këtë gjë, djaloshi u largua i trishtuar, se kishte shumë pasuri.

23. Jezui u tha dishepujve të vet: «Me të vërtetë po ju them se i pasuri do ta ketë të vështirë të hyjë në mbretërinë e qiejve.

24. Po ju them edhe se është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë».

25. Kur e dëgjuan këtë gjë, dishepujt mbetën shumë të habitur e thanë: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?».

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 19