Dhjata e Re

Mateu 18:18-29 Së Bashku (ALNT)

18. «Me të vërtetë po ju them: çfarëdo që të lidhni në tokë, do të jetë e lidhur në qiell dhe çfarëdo të zgjidhni në tokë, do të jetë e zgjidhur në qiell.

19. Përsëri po ju them se nëse dy prej jush bien në një mendje për diçka që duan të kërkojnë, Ati im në qiell do t’ua japë.

20. Sepse atje ku janë të mbledhur dy a tre veta në emrin tim, unë jam aty, mes tyre».

21. Atëherë Pjetri erdhi te Jezui e i tha: «Zot, sa herë duhet ta fal vëllain që mëkaton kundër meje? Deri në shtatë herë?».

22. Jezui i tha:«Jo deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë.

23. Prandaj mbretëria e qiejve i ngjan mbretit që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e vet.

24. Kur filloi, i sollën njërin që i detyrohej dhjetë mijë talenta

25. dhe meqenëse ky nuk kishte të paguante, i zoti urdhëroi që të shitej së bashku me gruan, fëmijët dhe gjithçka që kishte, që të shlyhej detyrimi.

26. Atëherë shërbëtori i ra në gjunjë duke iu përgjëruar: “Ki durim me mua se do të paguaj gjithçka!”.

27. I zoti i këtij shërbëtori, i shtyrë nga dhembshuria që pati për të, e liroi dhe ia fali detyrimin.

28. Por, po ai shërbëtor, kur doli jashtë, takoi njërin prej shërbëtorëve të tjerë si ai, i cili i detyrohej njëqind denarë. E kapi për gryke dhe i tha: “Më kthe atë që më detyrohesh!”.

29. Atëherë ky shërbëtor i ra në gjunjë duke iu përgjëruar: “Ki durim me mua se do të ta kthej detyrimin!”.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 18