Dhjata e Re

Mateu 14:25-36 Së Bashku (ALNT)

25. Në agim, Jezui erdhi tek ata duke ecur mbi liqen.

26. Po kur e panë dishepujt duke ecur mbi liqen, u tmerruan e thanë: «Është fantazmë!». Dhe bërtitën nga frika.

27. Por menjëherë Jezui u tha: «Merrni zemër! Jam unë. Mos kini frikë!».

28. Pjetri u përgjigj: «Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujë».

29. Jezui i tha: «Eja!». Pjetri zbriti nga varka, eci mbi ujë dhe shkoi te Jezui,

30. po kur pa erën e fortë, u tremb dhe teksa filloi të fundosej, bërtiti: «Zot, më shpëto!».

31. Jezui menjëherë zgjati dorën, e kapi dhe i tha: «Përse dyshove, njeri besimpakët?».

32. Dhe kur ata hipën në varkë, era pushoi.

33. Ata që gjendeshin në varkë i ranë në gjunjë dhe i thanë: «Ti je me të vërtetë Biri i Perëndisë».

34. Si kaluan në bregun tjetër, arritën në krahinën e Gjenesaretit.

35. Kur e njohën, njerëzit e atij vendi çuan fjalë në të gjithë krahinën përreth, i sollën të gjithë të sëmurët

36. dhe iu lutën që të mund t’i preknin vetëm cepin e mantelit. Kështu, ata që e prekën, u shëruan.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 14