Dhjata e Re

Mateu 13:41-55 Së Bashku (ALNT)

41. Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e tij dhe ata do të mbledhin e do të hedhin jashtë mbretërisë gjithçka që shtyn në mëkat dhe të gjithë ata që shkelin ligjin e Moisiut,

42. dhe do t’i hedhë në furrën e zjarrit. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh.

43. Pastaj të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë, le të dëgjojë.»

44. «Mbretëria e qiejve ngjan me një thesar të fshehur në një arë. Një njeri, pasi e gjeti, e mbuloi dhe plot gëzim shkoi e shiti gjithçka që kishte dhe e bleu atë arë.

45. Mbretëria e qiejve ngjan edhe me një tregtar që kërkon margaritarë të mirë,

46. i cili, pasi gjeti një margaritar me vlerë të madhe, shkoi e shiti gjithçka që kishte dhe e bleu.

47. Mbretëria e qiejve ngjan edhe me një rrjetë që është hedhur në liqen dhe ka mbledhur peshq të çdo lloji.

48. Kur u mbush plot, e nxorën në breg, u ulën dhe i mblodhën peshqit e mirë në enë dhe të këqijtë i hodhën përjashta.

49. Kështu do të ndodhë në fundin e botës. Engjëjt do të dalin e do të ndajnë të këqijtë nga të drejtët,

50. e do t’i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh.»

51. «A i kuptuat të gjitha këto?». Ata iu përgjigjën: «Po».

52. Atëherë ai u tha: «Prandaj çdo skrib që është bërë dishepull i mbretërisë së qiejve i ngjan të zotit të shtëpisë, që nxjerr nga thesari i tij gjëra të reja dhe të vjetra».

53. Si mbaroi së treguari këto shëmbëlltyra, Jezui u largua që andej.

54. Kur erdhi në vendlindjen e tij, i mësonte njerëzit nëpër sinagogat e tyre. Ata mrekulloheshin e thoshin: «Nga i vjen gjithë kjo urti dhe kjo fuqi për të bërë mrekulli?

55. A nuk është ky i biri i zdrukthëtarit? A nuk quhet Mari nëna e tij? A nuk janë vallë Jakobi, Jozefi, Simoni e Juda vëllezërit e tij?

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 13