Dhjata e Re

Mateu 13:19-28 Së Bashku (ALNT)

19. Kur dikush e dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu dhe i rrëmben atë që është mbjellë në zemrën e tij. Ky njeri është fara që u mboll në rrugë.

20. Ajo që u mboll në gurishtë është ai njeri që e dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë plot gëzim,

21. por nuk ka rrënjë në vetvete dhe është i përkohshëm, kështu që kur vjen mundimi apo përndjekja për shkak të fjalës së Perëndisë, menjëherë humbet besimin.

22. Ajo që u mboll mes ferrash është ai njeri që e dëgjon fjalën, por shqetësimet e kësaj jete dhe joshja e pasurisë ia zënë frymën fjalës dhe e bëjnë të pafrytshme.

23. Ajo që u mboll në tokë të mirë, është ai njeri që e dëgjon fjalën dhe e kupton. Ai jep fryt dhe prodhon njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetë e tjetri tridhjetë».

24. Pastaj u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër:«Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farën e mirë në fushën e vet,

25. por ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër në mes të grurit e u largua.

26. Kështu, kur bimët u rritën e dhanë fryt, atëherë u duk edhe egjra.

27. Shërbëtorët e të zotit të shtëpisë erdhën e i thanë: “Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në fushën tënde? Nga na doli egjra?”.

28. Ai u tha: “Këtë e ka bërë armiku.”Shërbëtorët i thanë: “A do që të shkojmë e ta mbledhim?”.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 13