Dhjata e Re

Mateu 13:1-12 Së Bashku (ALNT)

1. Po atë ditë Jezui doli nga shtëpia dhe u ul në breg të liqenit.

2. Turma të mëdha u mblodhën pranë tij. Ai hipi në një varkë dhe u ul, ndërsa e tërë turma qëndronte në breg.

3. Jezui u tregoi shumë gjëra me shëmbëlltyra dhe u tha:«Një mbjellës doli për të mbjellë.

4. Ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe erdhën zogjtë e i hëngrën.

5. Disa fara të tjera ranë në gurishtë, ku nuk kishte shumë dhe. Ato mbinë menjëherë, sepse dheu nuk ishte i thellë,

6. por u vyshkën kur doli dielli dhe ngaqë nuk kishin rrënjë, u thanë.

7. Disa fara të tjera ranë ndër ferra dhe ferrat u rritën e ua zunë frymën.

8. Fara të tjera ranë në tokë të mirë dhe dhanë fryt, disa njëqindfish, disa gjashtëdhjetë e disa tridhjetë.

9. Kush ka veshë le të dëgjojë».

10. Pastaj erdhën dishepujt dhe i thanë: «Përse u flet me shëmbëlltyra?».

11. Jezui u përgjigj:«Juve ju janë bërë të njohura të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre jo.

12. Atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë e do të ketë me tepri, por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 13