Dhjata e Re

Marku 9:9-23 Së Bashku (ALNT)

9. Kur po zbrisnin nga mali, Jezui i urdhëroi të mos i tregonin askujt çfarë kishin parë, derisa Biri i njeriut të ngjallej prej të vdekurve.

10. Ata e mbajtën fjalën dhe pyesnin veten: ç’do të thotë të ngjallesh prej të vdekurve?

11. Pastaj e pyetën Jezuin: «Përse thonë skribët se duhet të vijë më parë Elia?».

12. Ai u tha:«Është e vërtetë se Elia do të vijë më parë për të vënë gjithçka në vendin e vet. Po përse thotë Shkrimi i shenjtë se Biri i njeriut do të vuajë shumë dhe do të përçmohet?

13. Megjithatë unë po ju them se Elia ka ardhur dhe me të bënë çfarë deshën, ashtu si Shkrimi i shenjtë thotë për të».

14. Kur erdhën te dishepujt e tjerë, panë rreth tyre një turmë të madhe dhe skribët që po diskutonin me ta.

15. Tërë ajo turmë u habit kur e pa Jezuin. Njerëzit vrapuan tek ai dhe e përshëndetën.

16. Jezui i pyeti: «Çfarë po diskutoni me ta?».

17. Njëri nga turma iu përgjigj: «Mësues, të kam sjellë tim bir, se e mundon një shpirt që nuk e lë të flasë.

18. Kudo që e kap, e përplas përdhe dhe ai nxjerr shkumë nga goja, kërcëllin dhëmbët e mpihet. U thashë edhe dishepujve të tu që t’ia dëbojnë, por nuk mundën».

19. Jezui tha: «O brezni e pafe! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t’ju duroj? Sillmani këtu!».

20. Ata e sollën djaloshin tek ai. Kur e pa Jezuin, shpirti e shkundi menjëherë djalin. Ai ra përdhe dhe u rrotullua duke i dalë shkumë nga goja.

21. Jezui e pyeti babanë e djalit: «Sa kohë ka që është kështu?».Ai u përgjigj: «Që në fëmijëri.

22. Disa herë e ka hedhur në zjarr dhe në ujë për ta vrarë. Nëse mundesh, ki dhembshuri për ne dhe na ndihmo!».

23. Jezui i tha: «Nëse mundem? Gjithçka është e mundur për atë që beson».

Lexoni kapitullin e plotë Marku 9