Dhjata e Re

Marku 9:30-40 Së Bashku (ALNT)

30. Pastaj u larguan që aty dhe kaluan nëpër Galile. Jezui nuk donte ta merrte vesh njeri.

31. Ai po mësonte dishepujt e tij dhe u tha: «Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve, ata do ta vrasin dhe, pas tri ditësh, ai do të ngjallet».

32. Por ata nuk i kuptuan këto fjalë dhe kishin frikë ta pyesnin.

33. Arritën në Kafarnaum dhe kur hyri në shtëpinë ku po rrinin, i pyeti: «Për çfarë po bisedonit me njëri-tjetrin gjatë rrugës?».

34. Ata heshtën, sepse gjatë rrugës kishin biseduar se kush nga ata ishte më i madhi.

35. Pasi u ul, i thirri të dymbëdhjetët dhe u tha: «Nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve».

36. Pastaj mori një fëmijë, e vuri mes tyre dhe duke e marrë në krahë, u tha:

37. «Kush pranon në emrin tim një fëmijë si ky, më pranon mua dhe kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më ka dërguar».

38. Gjoni i tha Jezuit: «Mësues, pamë një njeri që dëbonte djajtë në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse nuk vinte pas nesh».

39. Por Jezui i tha:«Mos ia ndaloni, se askush nuk mund të flasë keq për mua sapo bën një vepër të fuqishme në emrin tim.

40. Kush nuk është kundër nesh, është me ne.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 9