Dhjata e Re

Marku 9:3-18 Së Bashku (ALNT)

3. e rrobat iu bënë vezulluese dhe aq të bardha, sa askush mbi tokë nuk mund t’i zbardhte aq shumë.

4. Pastaj atyre iu shfaqën Elia me Moisiun, që po flisnin me Jezuin.

5. Pjetri i tha Jezuit: «Mësues, sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elian».

6. Në të vërtetë nuk dinte ç’të thoshte, sepse u kishte hyrë tmerri.

7. Atëherë doli një re që i mbuloi me hijen e saj dhe nga reja u dëgjua një zë: «Ky është Biri im i dashur. Dëgjojeni!».

8. Dhe, befas, kur shikuan përreth, nuk panë askënd përveç Jezuit që ishte me ta.

9. Kur po zbrisnin nga mali, Jezui i urdhëroi të mos i tregonin askujt çfarë kishin parë, derisa Biri i njeriut të ngjallej prej të vdekurve.

10. Ata e mbajtën fjalën dhe pyesnin veten: ç’do të thotë të ngjallesh prej të vdekurve?

11. Pastaj e pyetën Jezuin: «Përse thonë skribët se duhet të vijë më parë Elia?».

12. Ai u tha:«Është e vërtetë se Elia do të vijë më parë për të vënë gjithçka në vendin e vet. Po përse thotë Shkrimi i shenjtë se Biri i njeriut do të vuajë shumë dhe do të përçmohet?

13. Megjithatë unë po ju them se Elia ka ardhur dhe me të bënë çfarë deshën, ashtu si Shkrimi i shenjtë thotë për të».

14. Kur erdhën te dishepujt e tjerë, panë rreth tyre një turmë të madhe dhe skribët që po diskutonin me ta.

15. Tërë ajo turmë u habit kur e pa Jezuin. Njerëzit vrapuan tek ai dhe e përshëndetën.

16. Jezui i pyeti: «Çfarë po diskutoni me ta?».

17. Njëri nga turma iu përgjigj: «Mësues, të kam sjellë tim bir, se e mundon një shpirt që nuk e lë të flasë.

18. Kudo që e kap, e përplas përdhe dhe ai nxjerr shkumë nga goja, kërcëllin dhëmbët e mpihet. U thashë edhe dishepujve të tu që t’ia dëbojnë, por nuk mundën».

Lexoni kapitullin e plotë Marku 9