Dhjata e Re

Marku 8:22-33 Së Bashku (ALNT)

22. Pastaj arritën në Betsaidë, ku i sollën një të verbër dhe iu lutën që ta prekte.

23. Ai e mori të verbrin për dore, e nxori jashtë fshatit, pështyu në sytë e tij dhe e pyeti: «A sheh gjë?».

24. Ai ngriti sytë e tha: «Shoh njerëzit që duken si pemë që ecin».

25. Jezui ia vuri përsëri duart mbi sy. I verbri filloi të shihte, u shërua e shikonte gjithçka qartë.

26. Jezui e dërgoi në shtëpi dhe i tha: «Mos hyr fare në fshat».

27. Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt e tij në fshatin e Cezaresë së Filipisë dhe, gjatë rrugës, i pyeti dishepujt: «Kush thonë njerëzit se jam unë?».

28. Ata iu përgjigjën: «Disa thonë se je Gjon Pagëzori, të tjerë se je Elia e të tjerë se je njëri nga profetët».

29. Dhe ai i pyeti: «Po ju, kush thoni se jam unë?».Pjetri iu përgjigj: «Ti je Krishti».

30. Jezui i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për të.

31. Ai filloi t’i mësonte se Biri i njeriut duhej të vuante shumë dhe se nuk do të pranohej nga pleqtë, kryepriftërinjtë dhe skribët. Pastaj do ta vrisnin, por pas tri ditësh do të ngjallej.

32. Ai ua tha haptas këto fjalë.Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortojë.

33. Por Jezui u kthye, pa nga dishepujt dhe e qortoi Pjetrin e i tha: «Largohu prej meje, Satan, sepse nuk mendon sipas Perëndisë, por sipas njerëzve».

Lexoni kapitullin e plotë Marku 8