Dhjata e Re

Marku 6:8-18 Së Bashku (ALNT)

8. dhe i porositi që të mos merrnin asgjë me vete për udhëtim përveç një shkopi, të mos merrnin as bukë, as trastë, as para në brez,

9. por të vishnin sandalet dhe të mos mbanin dy tunika.

10. Pastaj u tha: «Qëndroni në atë shtëpi në të cilën hyni, derisa të niseni prej aty.

11. E nëse ka ndonjë vend ku nuk do t’ju pranojnë dhe nuk do t’ju dëgjojnë, kur të dilni që andej, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja, si dëshmi kundër tyre».

12. Dishepujt u nisën dhe predikonin që njerëzit të pendoheshin

13. si dhe dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.

14. Mbreti Herod dëgjoi për Jezuin, sepse emri i tij ishte bërë i njohur dhe disa thoshin: «Gjon Pagëzori është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto fuqi në të».

15. Disa të tjerë thoshin: «Ky është Elia». Dhe të tjerë: «Ky është profet si profetët e tjerë».

16. Kur i dëgjoi këto gjëra, Herodi tha: «Ky është Gjoni, të cilit i kam prerë kokën dhe është ngjallur».

17. Në të vërtetë, Herodi ishte ai që kishte dërguar njerëz që ta kapnin Gjonin, ta lidhnin e ta fusnin në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, me të cilën ishte martuar.

18. Gjoni i kishte thënë Herodit: «Nuk të lejohet ta marrësh për grua, gruan e vëllait tënd».

Lexoni kapitullin e plotë Marku 6