Dhjata e Re

Marku 6:39-51 Së Bashku (ALNT)

39. Atëherë ai u dha urdhër dishepujve t’i ulnin të gjithë në grupe mbi barin e gjelbër.

40. Ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë.

41. Pasi mori pesë bukët dhe dy peshqit, Jezui ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, theu bukët dhe ua dha dishepujve të vet, që t’i shtronin. Edhe dy peshqit ua ndau të gjithëve.

42. Të gjithë hëngrën e u ngopën

43. dhe mblodhën copat që tepruan, aq sa u mbushën dymbëdhjetë shporta, bashkë me ato që tepruan nga peshqit.

44. Ata që hëngrën bukët ishin pesë mijë burra.

45. Menjëherë Jezui i urdhëroi dishepujt të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, nga ana e Betsaidës, derisa ai të shpërndante turmën.

46. Kur u nda prej tyre, shkoi në mal për t’u lutur.

47. Kur ra mbrëmja, varka ishte në mes të liqenit dhe ai gjendej i vetëm në breg.

48. Jezui pa se dishepujt ishin lodhur duke vozitur, sepse kishin erën kundër dhe, në të gdhirë, erdhi drejt tyre duke ecur mbi liqen e donte t’i kalonte.

49. Kur ata e panë duke ecur mbi liqen, menduan se ishte fantazmë dhe bërtitën,

50. sepse të gjithë e kishin parë dhe ishin trembur. Por menjëherë ai u tha: «Merrni zemër! Jam unë. Mos kini frikë!».

51. Pastaj hipi në varkë tek ata dhe era pushoi. Ata u çuditën së tepërmi.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 6