Dhjata e Re

Marku 6:26-42 Së Bashku (ALNT)

26. Mbreti u trishtua shumë, por nuk deshi ta shkelte premtimin për shkak të betimit dhe të ftuarve.

27. Menjëherë mbreti dërgoi një rojë dhe e urdhëroi të sillte kokën e Gjonit. Roja shkoi dhe ia preu kokën në burg,

28. pastaj e solli kokën e tij në një pjatë, ia dha vajzës dhe vajza ia dha së ëmës.

29. Dishepujt e Gjonit, sapo e morën lajmin, erdhën dhe morën kufomën e tij dhe e vunë në një varr.

30. Apostujt u mblodhën pranë Jezuit dhe i treguan për gjithçka që kishin bërë e që u kishin mësuar njerëzve.

31. Ai u tha: «Ejani veçmas në një vend të vetmuar që të pushoni pak!». Në të vërtetë, aq shumë njerëz vinin e shkonin, saqë nuk kishin kohë as të hanin.

32. Kështu u nisën me varkë drejt një vendi të shkretë për të ndenjur vetëm.

33. Kur i panë se po largoheshin, shumë veta e kuptuan këtë dhe nga të gjitha qytetet vrapuan e arritën përpara tyre.

34. Kur po zbrisnin nga varka, Jezui pa një turmë të madhe e cila iu dhimbs, sepse ishin si delet pa bari. Atëherë ai filloi t’u mësojë shumë gjëra.

35. Tashmë ishte bërë vonë, prandaj dishepujt iu afruan dhe i thanë: «Vendi është i shkretë dhe është bërë vonë.

36. Lëri të shkojnë nëpër fushat dhe fshatrat përreth, që të blejnë diçka për të ngrënë!».

37. Ai u përgjigj: «Jepuni ju të hanë!».Ata i thanë: «A të shkojmë të blejmë dyqind denarë bukë, që t’u japim për të ngrënë?».

38. Jezui u tha: «Sa bukë keni? Shkoni e shikoni».Ata e dinin, prandaj i thanë: «Pesë bukë e dy peshq».

39. Atëherë ai u dha urdhër dishepujve t’i ulnin të gjithë në grupe mbi barin e gjelbër.

40. Ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë.

41. Pasi mori pesë bukët dhe dy peshqit, Jezui ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, theu bukët dhe ua dha dishepujve të vet, që t’i shtronin. Edhe dy peshqit ua ndau të gjithëve.

42. Të gjithë hëngrën e u ngopën

Lexoni kapitullin e plotë Marku 6