Dhjata e Re

Marku 6:23-34 Së Bashku (ALNT)

23. Dhe iu betua: «Çfarëdo që të më kërkosh do të ta jap, deri edhe gjysmën e mbretërisë sime!».

24. Ajo doli dhe i tha së ëmës: «Çfarë të kërkoj?».Ajo i tha: «Kokën e Gjon Pagëzorit».

25. Në çast u kthye me nxitim te mbreti dhe i bëri këtë kërkesë: «Dua që të më japësh menjëherë kokën e Gjon Pagëzorit në një pjatë».

26. Mbreti u trishtua shumë, por nuk deshi ta shkelte premtimin për shkak të betimit dhe të ftuarve.

27. Menjëherë mbreti dërgoi një rojë dhe e urdhëroi të sillte kokën e Gjonit. Roja shkoi dhe ia preu kokën në burg,

28. pastaj e solli kokën e tij në një pjatë, ia dha vajzës dhe vajza ia dha së ëmës.

29. Dishepujt e Gjonit, sapo e morën lajmin, erdhën dhe morën kufomën e tij dhe e vunë në një varr.

30. Apostujt u mblodhën pranë Jezuit dhe i treguan për gjithçka që kishin bërë e që u kishin mësuar njerëzve.

31. Ai u tha: «Ejani veçmas në një vend të vetmuar që të pushoni pak!». Në të vërtetë, aq shumë njerëz vinin e shkonin, saqë nuk kishin kohë as të hanin.

32. Kështu u nisën me varkë drejt një vendi të shkretë për të ndenjur vetëm.

33. Kur i panë se po largoheshin, shumë veta e kuptuan këtë dhe nga të gjitha qytetet vrapuan e arritën përpara tyre.

34. Kur po zbrisnin nga varka, Jezui pa një turmë të madhe e cila iu dhimbs, sepse ishin si delet pa bari. Atëherë ai filloi t’u mësojë shumë gjëra.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 6