Dhjata e Re

Marku 5:28-41 Së Bashku (ALNT)

28. Ajo thoshte me vete: «Sikur t’ia prek vetëm rrobat, do të shpëtoj».

29. Rrjedhja e gjakut iu ndërpre në çast dhe ajo ndjeu në trupin e saj se u shërua nga sëmundja.

30. Jezui e ndjeu menjëherë forcën që doli prej tij dhe si iu drejtua turmës, tha: «Kush m’i preku rrobat?».

31. Dishepujt i thanë: «Ti e sheh turmën që të shtyn nga të gjitha anët dhe thua kush më preku?».

32. Por ai shikonte rreth e rrotull për të parë atë që e kishte prekur.

33. Atëherë gruaja, e frikësuar dhe duke u dridhur, ngaqë e dinte atë që i kishte ndodhur, erdhi, i ra ndër këmbë dhe i tha gjithë të vërtetën.

34. Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe dhe qofsh e shëruar».

35. Ndërsa po fliste, erdhën disa prej njerëzve të kryetarit të sinagogës dhe i thanë: «Jot bijë vdiq. Përse e shqetëson ende mësuesin?».

36. Por Jezui, kur i dëgjoi këto fjalë, i tha kryetarit të sinagogës: «Mos ki frikë, vetëm beso!».

37. Dhe nuk lejoi askënd që ta shoqëronte përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit.

38. Si arritën në shtëpinë e kryetarit të sinagogës, Jezui pa rrëmujë dhe njerëz që qanin e vajtonin me zë të lartë.

39. Kur hyri, u tha: «Përse bërtisni e qani? Fëmija nuk ka vdekur, por po fle».

40. Ata e përqeshën.Por ai i nxori të gjithë përjashta, mori me vete babanë dhe nënën e fëmijës dhe ata që e shoqëronin dhe hynë atje ku ishte fëmija.

41. Ai e kapi fëmijën për dore dhe i tha: «Talitha kum», që përkthehet: «Vashëz, unë po të them: ngrihu!».

Lexoni kapitullin e plotë Marku 5