Dhjata e Re

Marku 5:24-37 Së Bashku (ALNT)

24. Jezui shkoi me të dhe një turmë e madhe, që shtyhej nga të gjitha anët, i shkoi pas.

25. Një grua kishte dymbëdhjetë vjet që vuante nga hemorragjia.

26. Ajo kishte hequr shumë nga mjekë të ndryshëm dhe kishte shpenzuar gjithçka që kishte pa kurrfarë dobie dhe sa vinte e përkeqësohej.

27. Me të dëgjuar për Jezuin, ajo hyri mes turmës dhe i preku nga pas mantelin.

28. Ajo thoshte me vete: «Sikur t’ia prek vetëm rrobat, do të shpëtoj».

29. Rrjedhja e gjakut iu ndërpre në çast dhe ajo ndjeu në trupin e saj se u shërua nga sëmundja.

30. Jezui e ndjeu menjëherë forcën që doli prej tij dhe si iu drejtua turmës, tha: «Kush m’i preku rrobat?».

31. Dishepujt i thanë: «Ti e sheh turmën që të shtyn nga të gjitha anët dhe thua kush më preku?».

32. Por ai shikonte rreth e rrotull për të parë atë që e kishte prekur.

33. Atëherë gruaja, e frikësuar dhe duke u dridhur, ngaqë e dinte atë që i kishte ndodhur, erdhi, i ra ndër këmbë dhe i tha gjithë të vërtetën.

34. Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe dhe qofsh e shëruar».

35. Ndërsa po fliste, erdhën disa prej njerëzve të kryetarit të sinagogës dhe i thanë: «Jot bijë vdiq. Përse e shqetëson ende mësuesin?».

36. Por Jezui, kur i dëgjoi këto fjalë, i tha kryetarit të sinagogës: «Mos ki frikë, vetëm beso!».

37. Dhe nuk lejoi askënd që ta shoqëronte përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 5