Dhjata e Re

Marku 4:1-12 Së Bashku (ALNT)

1. Jezui filloi përsëri t’i mësonte njerëzit në breg të liqenit dhe ja një turmë shumë e madhe u mblodh pranë tij. Ai hipi në varkën që ishte në liqen dhe u ul. E tërë turma qëndronte në breg të liqenit.

2. Ai i mësonte me anë të shumë shëmbëlltyrave dhe, teksa i mësonte, u tha:

3. «Dëgjoni! Një mbjellës doli për të mbjellë

4. dhe ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe erdhën zogjtë e i hëngrën.

5. Disa fara të tjera ranë në gurishtë, ku nuk kishte shumë dhè. Ato mbinë menjëherë, sepse dheu nuk ishte i thellë,

6. por u vyshkën kur doli dielli dhe, ngaqë nuk kishin rrënjë, u thanë.

7. Disa fara të tjera ranë ndër ferra dhe ferrat u rritën, ua zunë frymën e nuk dhanë fryt.

8. Fara të tjera ranë në tokë të mirë dhe ndërsa rriteshin dhe zhvilloheshin, dhanë fryt e prodhuan njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë dhe një tjetër njëqindfish».

9. Pastaj u tha: «Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!».

10. Kur mbeti vetëm, ata që ishin rreth tij bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrat.

11. Dhe ai u tha:«Juve ju është bërë e njohur e fshehta e mbretërisë së Perëndisë, ndërsa atyre që janë përjashta u jepet gjithçka me shëmbëlltyra,

12. që, megjithëse kanë sy për të parë, të mos shohin, megjithëse kanë veshë për të dëgjuar, të mos marrin vesh, përndryshe do të ishin kthyer te Perëndia dhe ai do t’i falte».

Lexoni kapitullin e plotë Marku 4