Dhjata e Re

Marku 14:61-72 Së Bashku (ALNT)

61. Por Jezui heshti dhe nuk dha asnjë përgjigje. Kryeprifti e pyeti përsëri: «A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?».

62. Jezui iu përgjigj: «Unë jam. Do të shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Perëndisë të pushtetshëm, duke ardhur mbi retë e qiellit».

63. Kryeprifti shqeu rrobat e veta e tha: «Ç’na duhen më dëshmitarët?

64. Ju e dëgjuat fyerjen që i bëri Perëndisë. Cili është vendimi juaj?». Dhe të gjithë e gjykuan se ishte fajtor për vdekje.

65. Disa filluan ta pështynin, t’i mbulonin fytyrën dhe ta godisnin duke i thënë: «Gjeje kush të goditi!». Edhe rojat e godisnin me shuplaka.

66. Ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi njëra nga shërbëtoret e kryepriftit

67. dhe, kur e pa Pjetrin duke u ngrohur, ia nguli sytë e i tha: «Edhe ti ishe me Jezuin e Nazaretit».

68. Por ai e mohoi dhe tha: «Nuk po e marr vesh dhe as nuk po e kuptoj se ç’thua». Pastaj doli jashtë, në hyrje të oborrit, dhe ndërkohë këndoi gjeli.

69. Shërbëtorja e pa dhe filloi t’u thoshte përsëri atyre që ishin aty: «Ky është një prej tyre».

70. Por ai e mohoi përsëri.Pas pak, ata që ishin aty i thanë Pjetrit sërish: «Me siguri që je një nga ata, sepse je galileas».

71. Por ai filloi të mallkojë e të bënte be: «Nuk e njoh këtë njeri për të cilin po flisni».

72. Atë çast këndoi gjeli për të dytën herë. Atëherë Pjetrit iu kujtua ç’i kishte thënë Jezui: «Përpara se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë». Dhe filloi të qante.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 14