Dhjata e Re

Marku 14:51-65 Së Bashku (ALNT)

51. Një i ri, i mbështjellë vetëm me një copë prej liri, po e ndiqte. Rojat e kapën,

52. por ai lëshoi copën prej liri e iku lakuriq.

53. Atëherë e dërguan Jezuin te kryeprifti dhe mblodhën aty të gjithë kryepriftërinjtë, pleqtë dhe skribët.

54. Pjetri e ndoqi nga larg, deri brenda oborrit të pallatit të kryepriftit, dhe u ul mes shërbëtorëve, duke u ngrohur pranë zjarrit.

55. Ndërkohë kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi kundër Jezuit për ta dënuar me vdekje, por nuk gjenin.

56. Shumë veta jepnin dëshmi të rreme kundër tij, por dëshmitë e tyre nuk përkonin.

57. Disa të tjerë u ngritën e dhanë dëshmi të rreme kundër tij dhe thanë:

58. «Ne e kemi dëgjuar të thotë: “Do ta shkatërroj këtë tempull të bërë nga duart e njeriut dhe për tri ditë do të ndërtoj një tjetër, që nuk është ndërtuar nga duart e njeriut”».

59. Por as dëshmia e tyre nuk përkonte.

60. Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të sinedrit dhe e pyeti Jezuin: «Nuk ke asgjë për të thënë për çfarë po dëshmojnë kundër teje?».

61. Por Jezui heshti dhe nuk dha asnjë përgjigje. Kryeprifti e pyeti përsëri: «A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?».

62. Jezui iu përgjigj: «Unë jam. Do të shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Perëndisë të pushtetshëm, duke ardhur mbi retë e qiellit».

63. Kryeprifti shqeu rrobat e veta e tha: «Ç’na duhen më dëshmitarët?

64. Ju e dëgjuat fyerjen që i bëri Perëndisë. Cili është vendimi juaj?». Dhe të gjithë e gjykuan se ishte fajtor për vdekje.

65. Disa filluan ta pështynin, t’i mbulonin fytyrën dhe ta godisnin duke i thënë: «Gjeje kush të goditi!». Edhe rojat e godisnin me shuplaka.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 14