Dhjata e Re

Marku 14:40-50 Së Bashku (ALNT)

40. Kur u kthye përsëri, i gjeti duke fjetur, sepse u ishin rënduar sytë. Ata nuk dinin si t’i përgjigjeshin.

41. Pastaj erdhi për të tretën herë dhe u tha: «Ende po flini e po pushoni? Mjafton. Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve.

42. Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton».

43. Dhe në atë çast, ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë, skribët dhe pleqtë.

44. Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Kapeni dhe ruajeni mirë!».

45. Dhe menjëherë iu afrua Jezuit e i tha: «Mësues!» dhe e puthi.

46. Atëherë ata e kapën dhe e arrestuan.

47. Njëri nga ata që ishin aty, nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit dhe i preu veshin.

48. Jezui u tha: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar?

49. Unë isha çdo ditë mes jush në tempull duke mësuar njerëzit dhe nuk më kapët. Por kjo u bë që të përmbushen Shkrimet e shenjta».

50. Atëherë të gjithë e braktisën dhe ikën.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 14