Dhjata e Re

Marku 14:28-40 Së Bashku (ALNT)

28. Po kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile».

29. Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë do të humbasin besimin, unë nuk do ta humbas».

30. Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli dy herë, ti do të më mohosh tri herë».

31. Por ai nguli këmbë: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj».Kështu thanë të gjithë.

32. Pastaj shkuan në një vend që quhej Gjetsemani dhe Jezui u tha dishepujve të tij: «Rrini këtu sa të lutem».

33. Mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe filloi të ndiente frikë dhe ankth.

34. Pastaj u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar».

35. Pasi shkoi pak më tej, ra përdhe dhe lutej që, po të ishte e mundur, të largoheshin prej tij ato çaste vuajtjesh.

36. Atëherë tha: «Abba, Atë, gjithçka është e mundur për ty; largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, jo çfarë dua unë, por çfarë do ti».

37. Pastaj erdhi e i gjeti duke fjetur dhe i tha Pjetrit: «Simon, po fle? A nuk munde të rrish zgjuar as edhe një orë?

38. Rrini zgjuar dhe lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët».

39. Sërish u largua dhe u lut, duke thënë të njëjtat fjalë.

40. Kur u kthye përsëri, i gjeti duke fjetur, sepse u ishin rënduar sytë. Ata nuk dinin si t’i përgjigjeshin.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 14