Dhjata e Re

Marku 14:18-37 Së Bashku (ALNT)

18. Ndërsa ishin ulur e po hanin, Jezui tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju që po ha me mua do të më tradhtojë».

19. Ata filluan të trishtohen dhe i thoshin një nga një: «Mos jam unë?»

20. Ai u tha: «Është njëri nga të dymbëdhjetët, ai që po ngjyen kafshatën në të njëjtën pjatë me mua.

21. Biri i njeriut po shkon, sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur».

22. Kur po hanin, mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha atyre dhe tha: «Merrni, ky është trupi im».

23. Mori edhe kupën, tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre e ata pinë të gjithë prej saj.

24. Dhe u tha: «Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes, që derdhet për shumë njerëz.

25. Në të vërtetë po ju them se nuk do të pi më nga fryti i hardhisë, deri ditën që do ta pi të re në mbretërinë e Perëndisë».

26. E si kënduan një himn, shkuan në Malin e Ullinjve.

27. Jezui u tha: «Ju të gjithë do të humbisni besimin në mua, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: Do të godas bariun dhe delet do të shpërndahen.

28. Po kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile».

29. Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë do të humbasin besimin, unë nuk do ta humbas».

30. Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli dy herë, ti do të më mohosh tri herë».

31. Por ai nguli këmbë: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj».Kështu thanë të gjithë.

32. Pastaj shkuan në një vend që quhej Gjetsemani dhe Jezui u tha dishepujve të tij: «Rrini këtu sa të lutem».

33. Mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe filloi të ndiente frikë dhe ankth.

34. Pastaj u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar».

35. Pasi shkoi pak më tej, ra përdhe dhe lutej që, po të ishte e mundur, të largoheshin prej tij ato çaste vuajtjesh.

36. Atëherë tha: «Abba, Atë, gjithçka është e mundur për ty; largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, jo çfarë dua unë, por çfarë do ti».

37. Pastaj erdhi e i gjeti duke fjetur dhe i tha Pjetrit: «Simon, po fle? A nuk munde të rrish zgjuar as edhe një orë?

Lexoni kapitullin e plotë Marku 14