Dhjata e Re

Marku 14:11-23 Së Bashku (ALNT)

11. Kur e dëgjuan këtë gjë, ata u gëzuan dhe i premtuan se do t’i jepnin para. Kështu, ai kërkonte kohën e përshtatshme për ta tradhtuar.

12. Ditën e parë të Festës së Bukëve të Pambrujtura, kur flijohej qengji i Pashkës, dishepujt i thanë Jezuit: «Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkës?».

13. Ai dërgoi dy prej dishepujve të tij dhe u tha: «Shkoni në qytet e do të takoni një njeri që mban një shtambë me ujë. Ndiqeni

14. dhe atje ku të hyjë ai, i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi pyet ku është dhoma e pritjes ku mund të ha darkën e Pashkës me dishepujt e mi?”.

15. Dhe në katin e sipërm ai do t’ju tregojë një dhomë të madhe e të bërë gati. Aty na e shtroni darkën».

16. Dishepujt u nisën, shkuan në qytet, gjetën gjithçka siç u kishte thënë Jezui dhe përgatitën darkën e Pashkës.

17. Në mbrëmje Jezui erdhi me të dymbëdhjetët.

18. Ndërsa ishin ulur e po hanin, Jezui tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju që po ha me mua do të më tradhtojë».

19. Ata filluan të trishtohen dhe i thoshin një nga një: «Mos jam unë?»

20. Ai u tha: «Është njëri nga të dymbëdhjetët, ai që po ngjyen kafshatën në të njëjtën pjatë me mua.

21. Biri i njeriut po shkon, sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur».

22. Kur po hanin, mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha atyre dhe tha: «Merrni, ky është trupi im».

23. Mori edhe kupën, tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre e ata pinë të gjithë prej saj.

Lexoni kapitullin e plotë Marku 14