Dhjata e Re

Luka 8:37-48 Së Bashku (ALNT)

37. Atëherë tërë populli i krahinës së gerasenëve i kërkoi Jezuit të largohej prej tyre, sepse kishin shumë frikë. Jezui hipi në një varkë e u kthye.

38. Njeriu prej të cilit kishin dalë djajtë i kërkoi të rrinte me të, por Jezui e nisi dhe i tha:

39. «Kthehu në shtëpinë tënde e trego çfarë ka bërë Perëndia për ty». Ai u largua duke shpallur në mbarë qytetin çfarë kishte bërë për të Jezui.

40. Kur po kthehej, Jezuit i doli para turma, sepse të gjithë po e prisnin.

41. Atëherë iu afrua një njeri me emrin Jair, që ishte kryetar i sinagogës. Ai i ra ndër këmbë Jezuit dhe iu lut që të shkonte në shtëpinë e tij,

42. se vajza e tij e vetme, që ishte dymbëdhjetë vjeç, ishte duke vdekur.Gjatë udhës turmat e shtynin nga të gjitha anët.

43. Dhe një grua që vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga hemorragjia, megjithëse kishte shpenzuar gjithçka që kishte pasur, askush nuk kishte mundur ta shëronte.

44. Ajo iu afrua nga pas, i preku cepin e mantelit e menjëherë iu ndal hemorragjia.

45. Atëherë Jezui tha: «Kush më preku?». Meqenëse të gjithë e mohuan, Pjetri i tha: «Mësues, turmat po të rrethojnë e po të shtyjnë».

46. Por Jezui tha: «Dikush më preku, sepse ndjeva fuqinë që doli prej meje».

47. Atëherë gruaja, kur pa se nuk mund të fshihej, erdhi duke u dridhur, i ra ndër këmbë dhe tregoi para gjithë popullit përse e kishte prekur Jezuin e si ishte shëruar menjëherë.

48. Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe».

Lexoni kapitullin e plotë Luka 8