Dhjata e Re

Luka 8:34-44 Së Bashku (ALNT)

34. Kur panë çfarë ndodhi, ata që ruanin derrat ua mbathën këmbëve dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra.

35. Njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur. Kur arritën te Jezui, gjetën njeriun prej të cilit kishin dalë djajtë. Ai ishte ulur te këmbët e Jezuit, ishte i veshur e me mendje në rregull. Ata i zuri frika.

36. Ata që e kishin parë ngjarjen treguan sesi ishte shëruar i pushtuari nga djalli.

37. Atëherë tërë populli i krahinës së gerasenëve i kërkoi Jezuit të largohej prej tyre, sepse kishin shumë frikë. Jezui hipi në një varkë e u kthye.

38. Njeriu prej të cilit kishin dalë djajtë i kërkoi të rrinte me të, por Jezui e nisi dhe i tha:

39. «Kthehu në shtëpinë tënde e trego çfarë ka bërë Perëndia për ty». Ai u largua duke shpallur në mbarë qytetin çfarë kishte bërë për të Jezui.

40. Kur po kthehej, Jezuit i doli para turma, sepse të gjithë po e prisnin.

41. Atëherë iu afrua një njeri me emrin Jair, që ishte kryetar i sinagogës. Ai i ra ndër këmbë Jezuit dhe iu lut që të shkonte në shtëpinë e tij,

42. se vajza e tij e vetme, që ishte dymbëdhjetë vjeç, ishte duke vdekur.Gjatë udhës turmat e shtynin nga të gjitha anët.

43. Dhe një grua që vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga hemorragjia, megjithëse kishte shpenzuar gjithçka që kishte pasur, askush nuk kishte mundur ta shëronte.

44. Ajo iu afrua nga pas, i preku cepin e mantelit e menjëherë iu ndal hemorragjia.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 8