Dhjata e Re

Luka 8:12-25 Së Bashku (ALNT)

12. Farat që ranë në rrugë janë ata që e dëgjojnë atë. Pastaj vjen djalli dhe e rrëmben fjalën nga zemrat e tyre, që të mos besojnë e të mos shpëtohen.

13. Farat që ranë në gurishtë janë ata që e dëgjojnë fjalën dhe e pranojnë me gëzim, por nuk e lënë të zërë rrënjë. Ata besojnë vetëm për pak dhe në kohën e sprovës e braktisin besimin.

14. Fara që ra ndër ferra janë ata që e dëgjojnë, por gjatë udhës ua zënë frymën shqetësimet, pasuria dhe kënaqësitë e jetës dhe frytet e tyre nuk piqen.

15. Fara që bie në tokë të mirë janë ata që e dëgjojnë fjalën dhe e ruajnë në një zemër të ndershme e të mirë. Këta mbesin besnikë e japin fryte».

16. «Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje apo nën shtrat. Përkundrazi, vihet në mbajtësen e vet, që ta shohin dritën ata që hyjnë brenda.

17. Asgjë e fshehur nuk do të mbetet pa u zbuluar dhe asnjë e fshehtë nuk do të mbetet pa u njohur e pa dalë në dritë.

18. Kini kujdes për mënyrën sesi dëgjoni, sepse atij që ka do t’i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka do t’i merret edhe ajo pak që mendon se ka».

19. Nëna dhe vëllezërit e Jezuit shkuan për ta takuar, por nuk mundën të arrinin tek ai për shkak të turmës.

20. Atëherë i thanë Jezuit: «Nëna jote e vëllezërit e tu janë përjashta dhe duan të të shohin».

21. Por ai u tha: «Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë ata që e dëgjojnë dhe e zbatojnë fjalën e Perëndisë».

22. Një ditë Jezui hipi në një varkë me dishepujt e u tha: «Le të shkojmë në bregun tjetër të liqenit». Kështu u nisën.

23. Ndërsa po lundronin, Jezuin e zuri gjumi.Papritur filloi një erë e fortë mbi liqen. Varka po mbushej me ujë e ata ishin në rrezik.

24. Dishepujt iu afruan Jezuit, e zgjuan dhe i thanë: «Mësues, mësues, po mbytemi».Ai u zgjua e qortoi erën dhe dallgët kërcënuese, të cilat pushuan. Pastaj u bë bunacë.

25. Jezui u tha dishepujve: «Ku është besimi juaj?».Ata ishin të trembur e të mahnitur dhe i thanë njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky që urdhëron edhe erërat, edhe ujin e ata i binden?».

Lexoni kapitullin e plotë Luka 8