Dhjata e Re

Luka 7:9-26 Së Bashku (ALNT)

9. Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua me centurionin. Atëherë u kthye dhe i tha turmës që po e ndiqte: «Po ju them se as në Izrael nuk e kam gjetur një besim kaq të madh».

10. Pastaj të dërguarit u kthyen në shtëpinë e centurionit dhe e gjetën shërbëtorin të shëruar.

11. Jezui shkoi në një qytet që quhej Nain, i shoqëruar nga dishepujt e tij e nga një turmë e madhe.

12. Kur iu afruan portës së qytetit, pa se po çonin për të varrosur një të vdekur. Ai kishte qenë djalë i vetëm dhe e ëma ishte e ve. Një turmë e madhe nga qyteti po e shoqëronte.

13. Kur Zoti e pa, ndjeu dhembshuri për të e i tha: «Mos qaj!».

14. Pastaj u afrua dhe preku vigun. Ata që e mbanin, u ndalën. Jezui tha: «Djalosh, po të them: ngrihu!».

15. I vdekuri u ngrit e filloi të fliste. Jezui e çoi tek e ëma.

16. Të gjithë i zuri frika dhe përlëvdonin Perëndinë duke thënë: «Një profet i madh është shfaqur mes nesh» dhe «Perëndia i ka kthyer sytë mbi popullin e vet».

17. Atëherë u përhap fjala për të në mbarë Judenë e në krahinat përreth.

18. Dishepujt e Gjonit i treguan atij për gjithçka. Gjoni thirri dy prej tyre

19. e i dërgoi te Zoti për ta pyetur: «A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?».

20. Kur arritën te Jezui i thanë: «Gjon Pagëzori na ka dërguar te ti për të të pyetur: “A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?”».

21. Jezui sapo kishte shëruar shumë njerëz nga sëmundjet e nga mundimet, i kishte çliruar nga shpirtrat e këqij e u kishte kthyer shikimin shumë të verbërve.

22. Atëherë u përgjigj: «Shkoni e i tregoni Gjonit për ato që patë e dëgjuat. Të verbërit po shohin përsëri dhe të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen dhe të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen dhe të varfërve po u shpallet ungjilli.

23. Lum ai që nuk humbet besimin në mua».

24. Kur u larguan të dërguarit e Gjonit, Jezui filloi t’u fliste turmave për Gjonin e tha:«Çfarë shkuat të shihnit në shkretëtirë? Një kallam që e lëkund era?

25. Çfarë shkuat të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ata që vishen me rroba të kushtueshme e që jetojnë në kënaqësi gjenden në pallatet mbretërore.

26. Çfarë shkuat të shihnit, atëherë? Një profet? Po, po ju them madje më shumë se një profet.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 7