Dhjata e Re

Luka 7:42-50 Së Bashku (ALNT)

42. Meqë as njëri e as tjetri nuk mund ta shlyenin detyrimin, ai ua fali atë të dyve. Cili prej të dyve do ta dojë më shumë?».

43. Simoni iu përgjigj: «Ma do mendja se ai të cilit i fali detyrimin më të madh».E Jezui i tha: «Ke gjykuar drejt».

44. Pastaj u kthye nga gruaja e i tha Simonit: «A e sheh këtë grua? Erdha në shtëpinë tënde e ti nuk më dhe as ujë për këmbët, ndërsa ajo m’i lau me lotët e saj e m’i thau me flokët e saj.

45. Ti nuk më përshëndete me puthje, ndërsa ajo nuk ka pushuar së puthuri këmbët e mia që kur hyra brenda.

46. Ti nuk ma leve kokën me mirrë, ndërsa ajo m’i leu këmbët me mirrë.

47. Po të them se dashuria e madhe që ajo shfaqi tregon se mëkatet e saj të shumta janë falur. Por ai të cilit i është falur pak, tregon pak dashuri».

48. Pastaj i tha asaj: «Të janë falur mëkatet».

49. Por ata që ishin me të në tryezë filluan të thoshin me njëri-tjetrin: «Kush është ky që fal edhe mëkatet?».

50. Ndërsa Jezui i tha gruas: «Besimi yt të shpëtoi, shko në paqe».

Lexoni kapitullin e plotë Luka 7