Dhjata e Re

Luka 7:38-45 Së Bashku (ALNT)

38. Ajo rrinte prapa Jezuit te këmbët e tij duke qarë e filloi t’ia lagte këmbët me lot e t’ia thante me flokët e saj. Pastaj vazhdoi t’i puthte këmbët e t’ia lyente me mirrë.

39. Kur fariseu që e kishte ftuar Jezuin e pa këtë gjë, tha me vete: «Po të ishte profet ky njeri, do ta dinte kush është e çfarë është kjo grua që po e prek: ajo është mëkatare».

40. Jezui i tha fariseut: «Simon, kam diçka për të të thënë».Simoni iu përgjigj: «Fol, mësues».

41. «Dy njerëz kishin detyrime ndaj një huadhënësi. Njëri detyrohej pesëqind denarë e tjetri pesëdhjetë.

42. Meqë as njëri e as tjetri nuk mund ta shlyenin detyrimin, ai ua fali atë të dyve. Cili prej të dyve do ta dojë më shumë?».

43. Simoni iu përgjigj: «Ma do mendja se ai të cilit i fali detyrimin më të madh».E Jezui i tha: «Ke gjykuar drejt».

44. Pastaj u kthye nga gruaja e i tha Simonit: «A e sheh këtë grua? Erdha në shtëpinë tënde e ti nuk më dhe as ujë për këmbët, ndërsa ajo m’i lau me lotët e saj e m’i thau me flokët e saj.

45. Ti nuk më përshëndete me puthje, ndërsa ajo nuk ka pushuar së puthuri këmbët e mia që kur hyra brenda.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 7