Dhjata e Re

Luka 4:34-44 Së Bashku (ALNT)

34. «Çfarë ke me ne, o Jezui i Nazaretit? Ke ardhur të na shkatërrosh? Unë e di kush je: ti je i Shenjti i Perëndisë».

35. Por Jezui e qortoi e i tha: «Hesht e dil prej tij!». Shpirti i ndyrë e përplasi njeriun në mes të turmës dhe doli prej tij pa e dëmtuar.

36. Të gjithë u mrekulluan dhe i thoshin njëri-tjetrit: «Ç’është kjo fjalë? Ai i urdhëron shpirtrat e ndyrë me pushtet e me fuqi dhe ata dalin».

37. Dhe për të u hap fjala kudo në ato rrethina.

38. Jezui u ngrit, doli nga sinagoga dhe shkoi në shtëpinë e Simonit. Vjehrra e Simonit ishte sëmurë me ethe të forta, prandaj iu lutën që ta shëronte.

39. Jezui u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lanë. Ajo u ngrit menjëherë dhe filloi t’u shërbente.

40. Në perëndim të diellit, të gjithë ata që kishin të sëmurë që vuanin nga sëmundje të ndryshme i sillnin te Jezui. Ai vendoste duart mbi secilin prej tyre dhe i shëronte.

41. Prej shumë vetave dilnin shpirtra të ndyrë që bërtisnin: «Ti je Biri i Perëndisë!». Por Jezui i qortonte dhe nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti.

42. Kur agoi dita, Jezui doli nga qyteti e shkoi drejt një vendi të shkretë. Një turmë e madhe shkoi për ta kërkuar dhe kur e gjetën, nuk donin që ai të largohej prej tyre,

43. por Jezui u tha: «Më duhet ta shpall ungjillin e mbretërisë së Perëndisë edhe në qytetet e tjera, se për këtë gjë jam dërguar».

44. Dhe predikonte nëpër sinagogat e Judesë.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 4