Dhjata e Re

Luka 4:25-37 Së Bashku (ALNT)

25. Por, me të vërtetë po ju them: në kohën e Elias kishte shumë vejusha në Izrael kur qielli ishte i mbyllur për tre vjet e gjashtë muaj, kur në mbarë tokën ra zia e bukës.

26. Megjithatë, Elia nuk qe dërguar tek asnjëra prej tyre, por vetëm në Sarepta, në tokën e Sidonit, te një grua e ve.

27. Në kohën e profetit Elise kishte shumë të lebrosur në Izrael e, megjithatë, asnjëri prej tyre nuk u pastrua, por vetëm Namani nga Siria».

28. Të gjithë ata që ishin në sinagogë u mbushën me zemërim kur e dëgjuan këtë.

29. U ngritën, e nxorën jashtë qytetit dhe e çuan në majë të kodrës, ku ishte ndërtuar qyteti i tyre, që ta hidhnin në humnerë.

30. Por Jezui kaloi përmes tyre dhe u largua.

31. Jezui shkoi në Kafarnaum, në një qytet të Galilesë dhe po i mësonte njerëzit ditën e shtunë.

32. Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se fliste me autoritet.

33. Në sinagogë gjendej një njeri që ishte i pushtuar nga shpirti i një demoni të ndyrë. Ai bërtiti me zë të lartë:

34. «Çfarë ke me ne, o Jezui i Nazaretit? Ke ardhur të na shkatërrosh? Unë e di kush je: ti je i Shenjti i Perëndisë».

35. Por Jezui e qortoi e i tha: «Hesht e dil prej tij!». Shpirti i ndyrë e përplasi njeriun në mes të turmës dhe doli prej tij pa e dëmtuar.

36. Të gjithë u mrekulluan dhe i thoshin njëri-tjetrit: «Ç’është kjo fjalë? Ai i urdhëron shpirtrat e ndyrë me pushtet e me fuqi dhe ata dalin».

37. Dhe për të u hap fjala kudo në ato rrethina.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 4