Dhjata e Re

Luka 4:1-13 Së Bashku (ALNT)

1. Jezui, plot me Shpirtin e Shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Shpirti i Shenjtë e çoi në shkretëtirë.

2. Atje u tundua nga djalli për dyzet ditë. Gjatë këtyre ditëve nuk hëngri asgjë dhe kur kaluan ato ditë, e mori uria.

3. Djalli i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, thuaji këtij guri të bëhet bukë».

4. Por Jezui iu përgjigj: «Shkrimi i shenjtë thotë: Njeriu nuk jeton vetëm me bukë».

5. Pastaj djalli e ngjiti lart, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës në një çast

6. dhe i tha: «Unë do të ta jap gjithë pushtetin dhe lavdinë e tyre, sepse më është dhënë mua dhe unë mund t’ia jap kujt të dua.

7. Gjithçka do të jetë e jotja nëse bie në gjunjë para meje».

8. Dhe Jezui i tha: «Shkrimi i shenjtë thotë: Adhuro Zotin, Perëndinë tënd dhe shërbeji vetëm atij».

9. Pastaj djalli e çoi në Jerusalem, e vuri në pikën më të lartë të tempullit dhe i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu që këtu,

10. sepse Shkrimi i shenjtë thotë: Do t’i urdhërojë engjëjt e tij të të ruajnë

11. dhe do të të mbajnë në duart e tyre, që mos të të ndeshë këmba në gur».

12. Por Jezui iu përgjigj: «Shkrimi i shenjtë thotë: Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd».

13. Pasi e tundoi Jezuin në të gjitha mënyrat, djalli u largua prej tij për një farë kohe.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 4