46. Atëherë Jezui thirri me zë të lartë e tha: «Atë, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim». Pasi tha këto, dha shpirt.
47. Kur pa çfarë kishte ndodhur, centurioni përlëvdoi Perëndinë e tha: «Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë».
48. Të gjitha turmat që ishin mbledhur aty për të parë këtë ngjarje, panë se çfarë ndodhi dhe u kthyen duke rrahur kraharorin.
49. Ndërsa të gjithë të njohurit e tij, bashkë me gratë që e kishin ndjekur që nga Galileja, rrinin në një farë largësie dhe shikonin këto gjëra.
50. Aty ishte një njeri i mirë dhe i drejtë me emrin Jozef. Ai ishte anëtar i sinedrit,
51. por nuk e kishte miratuar vendimin dhe veprimin e të tjerëve. Jozefi ishte nga Arimateja, një qytet i Judesë, dhe priste mbretërinë e Perëndisë.
52. Ai shkoi te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezuit.
53. Atëherë e zbriti nga kryqi, e mbështolli me një pëlhurë prej liri dhe e vendosi në një varr të hapur në shkëmb, ku nuk ishte vënë ende askush.
54. Ishte e premte, duke u gdhirë e shtunë.
55. Gratë, që kishin ardhur nga Galileja me Jezuin, e ndoqën pas Jozefin. Ato e panë varrin dhe sesi ishte vendosur trupi i Jezuit.
56. Pastaj u kthyen dhe përgatitën vajra erëmirë dhe mirrë.Të shtunën pushuan sipas ligjit të Moisiut.