Dhjata e Re

Luka 23:32-47 Së Bashku (ALNT)

32. Ata sollën edhe dy keqbërës të tjerë për t’i kryqëzuar bashkë me Jezuin.

33. Kur arritën te vendi që quhej ‘Kafka’, kryqëzuan aty Jezuin dhe të dy keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetrin në të majtë të tij.

34. Pastaj Jezui tha: «Atë, fali, se nuk dinë çfarë bëjnë».Dhe ata hodhën short për të ndarë rrobat e tij.

35. Populli rrinte aty e shikonte, ndërsa krerët e përqeshnin dhe thoshin: «Të tjerët i shpëtoi. Nëse ai është Krishti i Perëndisë, i Zgjedhuri, le ta shpëtojë veten».

36. Edhe ushtarët e përqeshnin. Ata erdhën, i sollën uthull

37. e i thanë: «Nëse je mbreti i judenjve, shpëto veten!».

38. Mbi të gjendej ky mbishkrim: «Ky është mbreti i judenjve».

39. Njëri nga keqbërësit e varur në kryq e fyente duke i thënë: «A nuk je ti Krishti? Shpëto veten dhe ne!».

40. Por tjetri e qortoi dhe i tha: «A nuk e druan Perëndinë, ti që po vuan të njëjtin dënim si ai?

41. Ne jemi dënuar me të drejtë, se po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi bërë, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe».

42. Pastaj tha: «Jezu, kujtohu për mua kur të shkosh në mbretërinë tënde».

43. Jezui iu përgjigj: «Me të vërtetë po të them, sot ti do të jesh me mua në parajsë».

44. Aty nga mesdita, errësira mbuloi gjithë tokën deri në orën tre pasdite.

45. Dielli u zu dhe veli i tempullit u gris më dysh.

46. Atëherë Jezui thirri me zë të lartë e tha: «Atë, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim». Pasi tha këto, dha shpirt.

47. Kur pa çfarë kishte ndodhur, centurioni përlëvdoi Perëndinë e tha: «Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë».

Lexoni kapitullin e plotë Luka 23