Dhjata e Re

Luka 22:6-18 Së Bashku (ALNT)

6. Kështu Juda pranoi dhe kërkonte rastin që t’ua dorëzonte pa qenë e pranishme turma.

7. Kur erdhi dita e Festës së Bukëve të Pambrujtura, kur flijohej qengji i Pashkës,

8. Jezui dërgoi Pjetrin e Gjonin dhe u tha: «Shkoni dhe bëni përgatitjet që të hamë Pashkën».

9. Ata e pyetën: «Ku dëshiron që ta përgatisim?».

10. Jezui u tha: «Dëgjoni, kur të hyni në qytet do të takoni një njeri që mban një shtambë me ujë. Shkojini pas deri te shtëpia ku do të hyjë ai

11. dhe i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi na ka dërguar të të pyesim: ku është dhoma e pritjes ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?”.

12. Në katin e sipërm ai do t’ju tregojë një dhomë të madhe e të bërë gati. Aty shtrojeni darkën».

13. Ata shkuan, gjetën gjithçka siç u kishte thënë Jezui dhe përgatitën darkën e Pashkës.

14. Kur erdhi koha, Jezui u ul për të ngrënë bashkë me dishepujt.

15. Ai u tha: «Sa shumë kam dëshiruar ta ha këtë Pashkë me ju para se të vuaj,

16. sepse po ju them, nuk do të ha më nga kjo Pashkë, derisa ajo të përmbushet në mbretërinë e Perëndisë».

17. Pastaj mori kupën, tha lutjen e falënderimit dhe tha: «Merreni dhe ndajeni këtë mes jush.

18. Unë po ju them se që tani nuk do të pi më nga fryti i hardhisë, derisa të vijë mbretëria e Perëndisë».

Lexoni kapitullin e plotë Luka 22