Dhjata e Re

Luka 20:1-16 Së Bashku (ALNT)

1. Një ditë, kur Jezui po mësonte njerëzit në tempull dhe po u shpallte të gjithëve ungjillin, erdhën kryepriftërinjtë, skribët e pleqtë

2. dhe i thanë: «Na thuaj, me ç’autoritet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë autoritet?».

3. Jezui u tha: «Edhe unë kam një pyetje për ju: më thoni,

4. pagëzimi i Gjonit vinte prej qiellit apo prej njerëzve?».

5. Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”.

6. Po të themi “prej njerëzve”, populli do të na vrasë me gurë, sepse është i bindur se Gjoni ishte profet».

7. Prandaj iu përgjigjën: «Nuk e dimë prej nga vinte».

8. Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç’autoritet i bëj këto gjëra».

9. Jezui filloi t’i tregonte popullit këtë shëmbëlltyrë:«Një njeri mbolli një vresht, ua dha disa vreshtarëve me qira dhe u largua në një vend të huaj për një kohë të gjatë.

10. Kur erdhi koha e të vjelave, dërgoi një shërbëtor te vreshtarët që t’i jepnin pjesën e tij nga prodhimi i vreshtit, por vreshtarët e rrahën dhe e nisën duarzbrazët.

11. Pastaj dërgoi një shërbëtor tjetër. Edhe atë e rrahën, e shanë dhe e nisën duarzbrazët.

12. Përsëri dërgoi një të tretë, por edhe këtë e plagosën dhe e dëbuan.

13. Atëherë i zoti i vreshtit tha: “Çfarë të bëj? Do të dërgoj birin tim të dashur, se ndoshta për të do të kenë respekt.”

14. Po kur e panë të birin, vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ta vrasim e kështu trashëgimia bëhet e jona.”

15. Pastaj e dëbuan nga vreshti dhe e vranë.Çfarë do t’u bëjë atyre i zoti i vreshtit?

16. Ai do të vijë e do t’i vrasë ata vreshtarë dhe do t’ua japë vreshtin të tjerëve».Kur e dëgjuan këtë gjë, njerëzit thanë: «Larg qoftë!».

Lexoni kapitullin e plotë Luka 20