Dhjata e Re

Luka 2:43-52 Së Bashku (ALNT)

43. Si kaluan ditët e festës, ata u nisën për t’u kthyer. Fëmija Jezu mbeti në Jerusalem, por prindërit nuk e morën vesh këtë gjë.

44. Meqë mendonin se ai ishte bashkë me udhëtarët e tjerë, ata udhëtuan gjithë ditën dhe pastaj filluan ta kërkonin te të afërmit e të njohurit,

45. por nuk e gjetën dhe u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar.

46. Pas tri ditësh e gjetën në tempull. Ishte ulur në mes të mësuesve që i dëgjonte dhe i pyeste.

47. Të gjithë ata që e dëgjonin mahniteshin nga zgjuarsia dhe përgjigjet e tij.

48. Kur e panë, u habitën dhe e ëma i tha: «Bir, pse na e bëre këtë? Unë dhe yt atë po të kërkonim gjithë ankth».

49. Jezui u përgjigj: «Pse po më kërkonit? A nuk e dinit se duhet të merrem me punët e Atit tim?».

50. Por ata nuk i kuptuan fjalët e tij.

51. Pastaj u nis bashkë me ta, u kthye në Nazaret dhe u bindej. Nëna e tij i ruante të gjitha këto gjëra në zemër.

52. Jezui rritej në urti, në moshë e në hir para Perëndisë dhe njerëzve.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 2