Dhjata e Re

Luka 17:20-31 Së Bashku (ALNT)

20. Një herë, kur farisenjtë e pyetën Jezuin se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, Jezui u përgjigj: «Mbretëria e Perëndisë nuk vjen me bujë.

21. Nuk do të thonë: “Ja ku është këtu!”, apo “Ja atje!”. Sepse Mbretëria e Perëndisë është brenda jush».

22. Jezui u tha dishepujve:«Po vijnë ditë në të cilat do të dëshironi të shihni njërën nga ditët e Birit të njeriut, por nuk do ta shihni.

23. Atëherë do t’ju thonë: “Ja ku është atje!”, apo “Ja këtu!”. Mos shkoni atje e mos i ndiqni!

24. Sikurse vetëtima shkëlqen nga qielli dhe e ndriçon atë nga njëri skaj në tjetrin, ashtu do të jetë edhe Biri i njeriut në ditën e tij.

25. Por më parë ai duhet të vuajë shumë dhe nuk do të pranohet nga kjo brezni.

26. Dhe sikurse ndodhi në ditët e Noeut, kështu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut.

27. Në atë kohë njerëzit hanin e pinin, martoheshin e martonin deri ditën kur Noeu hyri në arkë e pastaj erdhi përmbytja e përmbyti gjithçka.

28. Sikurse ndodhi edhe në ditët e Lotit, njerëzit hanin e pinin, blinin e shisnin, mbillnin e ndërtonin,

29. por ditën kur Loti u largua nga Sodoma, ra zjarr e squfur nga qielli e i vrau të gjithë,

30. kështu do të ndodhë atë ditë kur do të shfaqet Biri i njeriut.

31. Nëse atë ditë dikush do të ndodhet mbi çati, por do t’i ketë gjërat e veta në shtëpi, të mos zbresë për t’i marrë. Dhe nëse dikush do të ndodhet në arë, as ai të mos kthehet.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 17