Dhjata e Re

Luka 16:10-23 Së Bashku (ALNT)

10. Kush është besnik në pak, është besnik edhe në shumë e kush është i pandershëm në pak, është i pandershëm edhe në shumë.

11. Nëse nuk keni qenë besnikë në pasuritë e pandershme, kush do t’jua besojë pasuritë e vërteta?

12. Dhe nëse nuk keni qenë besnikë në atë që i përket dikujt tjetër, kush do t’jua japë atë që është juaja?

13. Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve. Ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të jepet pas njërit e do të lërë pas dore tjetrin. Nuk mund t’i shërbeni edhe Perëndisë, edhe parasë».

14. Farisenjtë, që janë lakmitarë parash, dëgjonin gjithçka dhe e përqeshnin Jezuin.

15. Atëherë ai u tha:«Ju jeni ata që para njerëzve shfaqeni si të drejtë, por Perëndia i njeh zemrat tuaja. Megjithatë, ajo që është e madhërishme për njerëzit, për Perëndinë është fundërrinë.

16. Ligji i Moisiut e profetët ishin deri te Gjoni. Pastaj u shpall ungjilli i mbretërisë së Perëndisë dhe të gjithë mundohen ta fitojnë atë me përpjekje të mëdha.

17. Megjithatë, është më e lehtë që të kalojnë qielli e toka, sesa t’i hiqet ligjit të Moisiut qoftë edhe një pikë.

18. Kushdo që e ndan gruan e vet e martohet me një tjetër, bën tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore.»

19. «Ishte një njeri i pasur, që vishej me rroba purpuri e liri të çmueshëm dhe jetonte çdo ditë në luks.

20. Te dera e tij rrinte një i varfër me emrin Lazar. Ai ishte i mbuluar me plagë

21. e dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut. Edhe qentë vinin e i lëpinin plagët.

22. I varfri vdiq dhe engjëjt e çuan të rrinte me Abrahamin.Edhe pasaniku vdiq e u varros.

23. Në ferr, ku po vuante torturat, ngriti sytë e pa diku larg Abrahamin me Lazarin përbri.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 16